Protesta pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Liban ka degraduar në dhunë, teksa forcat e sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur demonstruesit. Kjo protestë është më e fundit kundër vendimit të presidentit Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Përplasje të dhunshme janë regjistruar në afërsi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Liban, teksa vijon vala e protestave kundër vendimit të presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Forcat e sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të zmbrapsur protestuesit e mbledhur pranë kompleksit të Ambasadës në Beirut. Ndërkohë, protestuesit kanë qëlluar me gurë dhe kanë hapur zjarr. Sipas mediave lokale, disa prej demonstruesve u përpoqën të hynin me forcë në territorin e Ambasadës amerikane, teksa këndonin slogane kundër zotit Trump.

Një grup madje i vuri flakën një portreti të presidentit amerikan. Libani është shtëpi e qindra mijëra refugjatëve palestinezë. Prej tre ditësh tashmë, palestinezët dhe mbështetësit e tyre përqark rajonit janë organizuar në protesta kundër vendimit të Presidentit amerikan për Jeruzalemin, qytet për të cilin kanë pretendime si izraelitët ashtu edhe palestinezët.

Artikulli paraprakBARDH SPAHIA-RAMES:NDALONI DHUNËN NDAJ SHKODRËS, NDRYSHE DO E PËSONI SI ETËRIT TUAJ
Artikulli tjetërDËMTOHET “SYRI I KALTËR”, SËMUNDJA DHE STUHITË RRËZOJNË PEMËT SHEKULLORE