Hong Kongu u përfshi të dielën nga skena kaosi dhe dhune të paprecedent në këto 12 javët e fundit. Të shtëna në ajër, topa ujëhedhës, gaz lotsjellës dhe shishe molotovi ishin disa nga mjetet e përdorura nga policia dhe protestuesit. Të paktën 36 persona do u bashkohen mbi 800 të tjerëve të arrestuar prej qershorit.

Protestat kundër qeverisë së Hong Kongut të dielën u përshkallëzuan si asnjëherë në dhunë dhe përdorim armësh nga ana e protestuesve dhe policisë lokale.
Autoritetet u desh të përdornin topa ujëhedhës, plumba gome dhe gaz lotsjellës ndaj turmës së irrituar.

Disa protestues me maska në fytyrë u kundërpërgjigjën me shkopinj hekuri dhe druri, duke shkulur kalldrëmin e qytetit dhe duke hedhur gurë e shishe molotovi ndaj organeve të rendit.

Disa agjentë policie u dërguan për ndihmë mjekësore.
Për herë të parë që nga nisja e protestave masive në qershor, policia shkrepi armë zjarri në ajër dhe ua drejtoi ato manifestuesve në shenjë paralajmërimi.

“Gjashtë oficerë policie u detyruan të mbronin jetët e tyre dhe të kolegëve që ishin seriozisht në rrezik. Njëri prej tyre qëlloi në ajër, por askush nuk u dëmtua. Në rrethanat që ndodheshin, reagimi ishte i arsyeshëm,” deklaroi përfaqësuesja e policisë.
Në orët e para të së hënës u njoftua se të paktën 36 persona u arrestuan për aktet e dhunës, përfshirë një 12-vjeçar.

Tubimet e javëve të fundit u nxitën nga një projektligj që lejonte ekstradimet e të shumëkërkuarve drejt Pekinit, por tani qytetarët apelojnë për më shumë të drejta dhe liri nga Kina, reformim të sistemit politik dhe lirimin e mbi 800 personave të arrestuar që nga fillimi i protestave.

Hong Kongu është një rajon i veçantë administrativ që iu ribashkua Kinës në vitin 1997, dhe pritet të funksionojë sipas parimit “një vend, dy sisteme” deri në vitin 2047.

Artikulli paraprakMBAJTËN PENG SHQIPTARIN NË GREQI, ARRESTOHET NË TIRANË BASHKËPUNËTORI I PESTË
Artikulli tjetërPËRFSHIHET NGA FLAKËT PULARIA NË TIRANË