Mbështetës të Partisë Demokratike protestuan pasditen e kësaj të hëne në Rrogozhinë duke bllokuar autostradën Kavajë-Lushnje.
Dega lokale e PD kishte organizuar një tubim kundër qeverisë për çmimet e larta, mungesën e vendeve të punës si dhe largimin e të rinjve të cilët nuk shohin perspektivë në Shqipëri.
Protestuesit kanë bllokuar autostradën në të dy anët e saj, pranë rrethrrotullimit të Rrogozhinës, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve. Sipas zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, protesta detyroi Ramën të devijojë rrugë.
Eskorta e kryeministrit është bllokuar nga qytetarët në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, ndërsa ishte nisur për në Lushnje. Po sipas PD, eskorta e kreut të qeverisë është detyruar të ndjekë rrugën dytësore për të vijuar udhëtimin.