TIRANË
Sot maturantët në mbarë vendin kanë zhvilluar provimin e Letërsisë për Maturën Shtetërore.
Në lidhje me këtë provim, ka edhe ankesa, kryesisht nga ana e prindërve. Pikërisht, prindërit janë ankuar tek ministrja e Arsimit Besa Shahini.
Një ankesë kanë ngritur Bordi i Prindërve të Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Tiranë. Ata shprehen se provimi nuk ka qenë sipas udhëzimeve nga MASR.
“Provimi nuk ka qenë sipas udhëzimeve nga ana e MASR. Fëmijët dolën të traumatizuar dhe të zhgënjyer. Fëmijët në provim kanë dalë shumë keq. U hodhën poshtë 3 vite sakrificë të shkollës”, thanë prindërit.
Po ashtu, prindërit janë shprehur se kërkojnë reagim të shpejtë nga Ministria e Arsimit.
Letra e plotë e Bordit të Prindërve të shkollës së mesme “Sami Frashëri” për ministren e Arsimit Besa Shahini:
Përshëndetje Znj .Ministre Besa Shahini
Ju shkruaj në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Shkollës të Gjimnazit Sami Frashëri në Tiranë si dhe prindi i një nxënëse Maturante .
Siç e dini sot, fëmijët patën provimin e Maturës të lëndës Gjuhë – Letërsi. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, formati i provimit dhe i prezantuar dhe i ezauruar gjatë konsultimeve me mësuesit dhe gjatë mësimeve online por edhe fizikisht këto javë duhet të ishte i një formati të prezantuar dhe ato pyetje që do jepeshin duhet të ishin të trajtuara në mësimet që ata kanë marrë sipas udhëzimit dhe sqarimit tuaj publik, fëmijët sot kanë dalë të tramautizuar dhe shumë të zhgënjyer, pasi formati ishte komplet ndryshe i patrajtuar dhe temat të paezauruara, gjë që bie ndesh me udhëzimin tuaj dhe si rrjedhojë rezultati ishte që fëmijët kanë dalë shumë keq në këtë provim dhe ne si prindër ndajmë shqetësimin që sakrifica e tyre dhe e jona këto 3 vjet pavarësisht vështirësive të mëdha që kaluan t’u hidhet poshtë dhe e ardhmja e tyre të vihet në pikëpyetje serioze nga ky problem, ju kërkoj në emër të prindërve dhe fëmijëve tanë maturanë të Gjimnazit Sami Frashëri që ta shikoni këtë shqetësim që po ju ngremë dhe mbasi ta analizoni me profesionistët që ju keni në ministrinë dhe stafin tuaj të jepni një reagim të drejtë, që secili të marrë atë që meriton pasi nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm djersën dhe endërrat e fëmijëve tanë, kemi besim në gjykimin dhe profesionalizmin tuaj me respekt nga Maturantët dhe Prindërit e gjimnazit Sami Frashëri.
Me respekt Artur Zenelaj kryetari i Bordit të shkollës