Teksa kryeministri Rama dhe deputeti Taulant Balla, kanë depozituar në kuvend kërkesën për ndryshime në ligjin e medaljeve, Partia Demokratike ka paraqitur në Kuvend një projekt rezolutë, ku veç të tjerash kërkon dhe dënimin e krimeve të komunizmit.
Kreu i grupit demokrat Edi Paloka bëri të ditur edhe rezolutën prej 13 pikash, ku krahas dënimit të krimeve të komunizmit, ka kërkuar edhe shfuqizimin e përfitimit të pensioneve të personave përgjegjës për krimet e komunizmit. Në përgjigje të tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi tha se rezoluta bëhet nul me depozitimin e nismës ligjore të qeverisë, e cila do të kalojë në shqyrtim më vonë. Një projektligj nga mazhoranca dhe një rezolutë nga opozita janë hartuar për heqjen e dekoratave dhe medaljeve ndaj ish-zyrtarëve të komunizmit, por asnjëra prej tyre nuk do të diskutohet dhe miratohet këtë vit në Kuvend. Paraqitja në moment të fundit e këtyre dy drafteve dhe kërkesës për të kaluar me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, bie ndesh me rregulloren e Parlamentit. Kjo është seanca e dytë pas asaj të së enjtes që diskutohet për medaljen që qeveria e majtë i dha një vit më parë Shyqyri Çokut, hetuesit të At Zef Pllumit i cili ishte në listën e veteranëve të kategorisë së parë firmosur nga Sali Berisha si president në vitin 1995. Vetë kryeministri Rama, deklaroi nga seanca e shkuar se qeveria do të tërheqë të gjitha medaljet .