Partia Socialiste feston sot 29-vjetorin e themelimit. Dita e festës ka nisur me një urim nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shkruan se PS-ja në 29 vite ka fituar e ka humbur zgjedhje, po kurrë nuk e ka bërë gabimin e cenimit të interesit kombëtar.
“Gëzuar ditën e lindjes së forcës më të madhe politike shqiptare, Partisë Socialiste, e cila në 29 vjet ka fituar e ka humbur zgjedhje, ka pasur shkëlqime e rënie, po kurrë nuk e ka bërë gabimin e cënimit të interesit kombëtar dhe gjithnjë ka ditur të ripërtërihet, në rrugën e një ideje të madhe e të shumë punëve për Shqipërinë, që vazhdon…” shkruan Rama.
Ashtu si vitin e kaluar, Edi Rama ka postuar një video të rrugëtimit në vite të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në video shfaqet rrugëtimi i viteve të vështira, por edhe figurat kryesore, mes të cilave Dritëro Agolli dhe Fatos Nano.
“Jeta juaj është e juaja, mos e lini të struket nën hijen e nënshtrimit prej goditjeve. Hapini sytë katër. Ka dalje edhe kur s’ka. Ka dritë diku. Mbase s’do ketë aq shumë dritë, por ka aq sa për të mundur terrin.
Hapini sytë katër. Zotat do t’ju ofrojnë shanse. Shihini. Kapini. Ju s’’mund ta mundni vdekjen, por nganjëherë vdekjen e të jetuarit mund ta mundni. E sa më shpejt mësoni ta bëni këtë. Aq më shumë dritë do të ketë.
Kujtojeni këtë gjithë sa kohë jetoni. Jeni mrekullia vetë. Zotat presin të kënaqen brenda jush. Nëse doni ta provoni, shkoni deri në fund përndryshe mos u nisni fare. Nëse doni ta provoni, çojini deri në fund. Gjithçka tjetër është qëndrueshmëri.
Sprovë deri në çfarë pike jeni gati të rezistoni dhe do t’ia dilni pavarësisht rrëzimeve dhe shanseve fare të vogla e do jetë më mirë se ç’mund të parafytyroni. Nëse do ta provoni, shikojini deri në fund. Asnjë ndjesi tjetër si kjo nuk ka. Krejt të vetëm para zotave. Nata do ndriçojë nga zjarri juaj. Bëje, bëje, bëje, deri në fund.
Do ta çoni jetën tuaj drejt të qeshurës së përsosur . Është e vetmja betejë që vlen të luftohet. Sukseset tona të mëdha s’mund t’i kemi kurrë pas, sepse fati që duam sheh nga lart”, thuhet në videon e publikuar nga Kryeminsitri Rama” janë disa nga mesazhet në video, të shkëputura nga dy poemave sublime nga Charles Bukoëski.
Por, jo vetëm selia e majtë, po edhe ajo e djathtë ka festë. Nga kampi blu, sot kryedemokrati Lulzim Basha feston ditëlindjen dhe mbush plot 46 vjeç. Pritet për t’u parë nëse do të ketë urime të ndërsjellta.