Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka ironizuar çeljen e fushatës së PS-së ditën e sotme në sheshin Skënderbej ku u mbollën 61 pemë. Në një takim me strukturat e Rithemelimit në Tiranë, Berisha komentoi hapjen e fushatës së socialistëve ku të pranishëm ishin vetëm kryebashkiakë të PS dhe ministra. Berisha e komentoi hapjen e fushatës si një mbledhje të nomenklaturës ku të pranishëm ishin vetëm zyrtarë, duke vënë theksin në mungesën e qytetarëve, detaj që sipas tij tregon se kryeministri Rama është në gjendje paranoje.

“A e patë si filloi fushatën? Kishte mbledhur nomenklaturën më të ngushtë dhe u mbante fjalim atyre. Më kujtoi një gjë, Vladimir Putini priti para një jave dy ambasadorë të SHBA dhe BE dhe i kishte vendosur 70m distancë nga frika. Edhe ky nga frika, nuk kishte asnjë qytetar aty. Paranoja ka forma të njëjta pavarësisht çfarë funksioni ke. U mbante fjalime Belindës, Spiropalit, Manjës dhe ata duartrokisnin. Nuk kisha parë ndonjëherë komedi si kjo”-tha Berisha. Ai akuzoi edhe kreun e SPAK, Altin Dumanin për intervistën që ky i fundit ka dhënë për mediat italiane lidhur me praninë e strukturave kriminale në Shqipëri. Berisha tha se Dumani nuk kishte guxim t’u përgjigjej se në Shqipëri, vetë shteti është kreu i strukturave kriminale.

“Kreu i SKAP-it u përgjigjej se nuk ka sepse nuk kanë kryetar. Nuk kishte guxim t’u thoshte të vërtetën. Në Shqipëri është Edi Rama, qeveria. Absolutisht ajo që shkruante gazetar Bild, shteti i mafias së drogës. Kandidatët e kësaj mafie, janë kandidatët e vesit, që kanë vjedhur me tendera. Janë kandididatë të lidhur me 1 mijë fije me trafikantët”- u shpreh kreu i Rithemelimit.

Artikulli paraprakPASAPORTAT E ARTA, BALLA: SHQIPËRIA DO TË RESPEKTOJË ÇDO VENDIM TË GJYKATËS EVROPIANE!
Artikulli tjetërMINISTRI I JASHTËM UKRAINAS BISEDË TELEFONIKE ME BLINKEN