Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ka folur pas mbledhjes së kryesisë së PS, duke deklaruar para gazetarëve ndër të tjera, se programi i socialistëve në këto zgjedhje do të përqendrohet në progresin dhe zhvillimin e vendit dhe se nuk do të mbajnë tubime apo organizime të mëdha.

Gjiknuri u shpreh se pala kundërshtare nuk ka program, ndërsa i pyetur për deklaratën e Ramës se do të mbjellin pemë dhe nuk do të shpenzojnë për fushatë, u shpreh se ky është një mesazh që duan t’i japin qytetarëve.

Po ashtu ai është pyetur lidhur me akuzat që deputetët e PS kanë bërë ndaj Monika Kryemadit për paratë ruse, duke thënë se i takon tashmë drejtësisë që të merret me këtë çështje.

“Kemi menduar të mos bëjmë aktivitete të mëdha masive. Nuk duam të bërtasim. Kemi menduar një strategji tjetër. Javën tjetër do të fillojmë aktivitetet. Do të synojmë aktivitete më të qeta, takime më të vogla. Ata janë vetë të zhytur në rublat dhe shqiptarët janë të qartë, por strategjia jonë është e ndërtimit të së ardhmes dhe progresit që ka bërë vendi. Duam sigurinë dhe zhvillimin e vendit. Pala tjetër nuk ka asnjë program.

Sa i takon akuzave për Kryemadhin, nuk është çështja se sa herë do deklarojmë ne me një fakt që është bërë publik, i takojnë organeve të drejtësisë që të zbardhin të vërtetën, PS s’do jetë pjesë e konferenca përditë në shtyp për këtë. Faktet janë evidentuar, dhe i takon drejtësisë.

Veçse PS nuk do shpenzojë në këtë fushatë, nga ana tjetër duam të japim mesazhin se mbjellja e pemës është zhvillimi i jetës. Gjithmonë ka vend për mbjellje të pemëve.

Logon dhe sloganin tonë politik do të bëjmë publik, por do t’i mëshojmë mesazhit të progresit dhe zhvillimit të vendit”, u shpreh ai.

Artikulli paraprakZGJEDHJET VENDORE TË 14 MAJIT, RAMA MBLEDH KRYESINË NË SELINË ROZË
Artikulli tjetërU KAPËN DUKE TRANSPORTUAR 13 EMIGRANTË, ARRESTOHEN NË VORË DY TË RINJ NGA SHKODRA