PS kërkon shkarkimin e kreut të KQZ-së
Partia Socialiste propozon shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri. Përmes një relacioni që Top Channel disponon, socialistët dënojnë sjelljen, sipas tyre individuale të kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, duke mos thirrur mbledhjen e KQZ-së për mandatin e tij. PS kërkon shkarkimin e Klement Zgurit nga detyra e kryetarit të KQZ për shkelje të rëndë të ligjit të dekriminalizimit. Në relacionin e tyre, socialistët citojnë rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit të administratës së KQZ, sipas së cilës Kryetari i KQZ kishte detyrimin ligjor që brenda 10 ditëve nga data 16.10.2017 të thërriste në seancë publike mbledhjen e KQZ dhe të fuste këtë çështje “për shqyrtim”. Kjo mbledhje u krye vetëm më datë 03.10.2017, gati një javë pas përfundimit të afatit të parashikuar nga ligji. Por, socialistët shkojnë edhe më tej në qëndrimin e tyre ndaj kreut të institucionit zgjedhor, duke i kujtuar këtij të fundit se është zgjedhur në krye të KQZ pa konkurrim, si kandidat i vetëm i ofruar nga opozita, duke anashkaluar të gjithë procedurën e parashikuar ligjore. Zguri nuk arriti asnjëherë me veprimet apo mosveprimet e tij të ngrihej mbi të kaluarën e tij partiake, mesa duket i kapur nga interesa të reja e histori të vjetra. Episodi i fundit, ku ai përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të përzgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të, është shembull konkret dhe i patolerueshëm i njëanshmërisë së verbër politike dhe mungesës së profesionalizmit. Në fund, socialistët kujtojnë nenin 18 të Kodit Zgjedhor që parashikon ndërprerjen parakohe të mandatit të kryetarit të KQZ por kujtojnë se z.Zguri nuk u zgjodh në respekt të kodit zgjedhor por me një marrëveshje politike, e cila sot konsiderohet e përfunduar. Socialistët thonë se Zguri ka shkelur në mënyrë të qëllimtë ligjin e dekriminalizimit ndaj Kuvendi nuk ka asnjë pengesë që ta largojë Klement Zgurin nga kjo detyrë, e cila iu dha vetëm përkohësisht. Një grup deputetësh socialistë po punojnë për të hartuar përfundimisht këtë draft.