Pak ditë më parë, Kryeministri Rama, deklaroi një nismë të Partisë Socialiste, risi në politikën shqiptare, gjysma e parave të parashikuara për fushatën e 14 majit, socialistët do t’i shpenzojnë për të mbjellë fidanë. Dhe Rama nuk ka humbur kohë. Në pozicionin e kryetarit të Partisë Socialiste, ai u ka dërguar një letër të gjithë kryetarëve aktualë të bashkive në vend, përfshirë të vetmin opozitar në pushtetin vendor, kryebashkiakun e Shkodrës Bardh Spahia, ku i kërkon që të bashkëpunojnë për të përcaktuar vendin se ku do të mbillen pemët. Letra e drejtuar Bardh Spahiajt, në të cilën thuhet se Partia Socialiste ka vendosur që një pjesë të buxhetit të saj elektoral, ta shpenzojë jo për materiale propagandistike për fushatën e 14 majit, po për t’i dhuruar peme bashkive të vendit tonë, duke ulur kështu sadopak ndotjen e fushatës zgjedhore dhe duke lënë pas për komunitetet sadopak oksigjen më shumë.

“Kësisoj, duke filluar nga data 11 prill. Partia Socialiste dëshiron të zhvillojë përveç aktiviteteve të tjera edhe mbjellje pemësh në territorin e bashkisë tuaj. Për sa më lart, duke shpresuar se ju do ta pranoni donacionin e Partisë Socialiste, ju lutem të na vini në dispozicion një kontakt pune, që të informohemi për pikat e mundshme të mbjelljeve, si edhe të sigurohemi për përgatitjen e nevojshme të truallit për t’u mbjellë”, thuhet në letrën e firmosur nga kryesocialisti Rama. Teksa prezantoi për herë të parë nismën 5 ditë më parë, Rama tha se gjysma e parave të fushatës së zgjedhjeve të 14 majit do të shkojë për mbjellje të fidanëve në mënyrë që ulet niveli i karbonit.

“Paratë e fushatës për regjira, podiume, mitingje, mikrofona e ndotje akustike do t’i vëmë në dispozicion të fidanëve. Mbase do ta marrin edhe vendet e Europës këtë model”, tha Rama teksa foli në Konventën Kombëtare të Turizmit.

Artikulli paraprakSHKODËR, BESIMTARËT PËRKUJTOJNË VUAJTJET E JEZU KRISHTIT
Artikulli tjetërNJERËZIT JANË DROGUAR QË 3000 VJET MË PARË, STUDIMI I RI I BËRË NGA FLOKËT E NJË NJERIU