Socialistët mbledhin sot Asamblenë e Partisë, ku në fokus të mbledhjes me dyer të mbyllura do të jenë jo vetëm zgjedhjet parlamentare 2025, por edhe riorganizimin i strukturave të partisë, i paralajmëruar që në dhjetor të 2023-shit nga kryesocialisti Edi Rama, me synimin që viti zgjedhor t’i gjejë gati.

Kryetari i PS-së Edi Rama bëri të qartë se në këtë Asamble nuk do të ketë ndryshime por se ripozicionimi është në funksion të mirës së punës. Rreth 400 anëtarët e asamblesë, vetë Rama, ministrat e deputetët mblidhen në një restorant në periferi të Tiranës. Për anëtarët e Asamblesë pjesëmarrja në këtë mbledhje është e detyrueshme dhe mungesat do të konsiderohen të pajustifikuara. Fokusi do të jetë për raportimin e detyrave të lëna në Kongresin e Partisë Socialiste më 8 dhjetor, aty nga ku kryeministri Edi Rama njoftoi se pranvera e 2024-ës do ta gjejë Partinë Socialiste me struktura të reja.

Asambleja do të mbahet me dyer të mbyllura, ku veç organizimit të partisë nuk do të mungojnë as mesazhet politike. Sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi tha për Report Tv se pret që deri në pranverë të jetë mbyllur procesi zgjedhor brenda partisë deri në nivelet e anëtarëve të asamblesë për të nisur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare 2025. Ky proces riorganizimi i PS-së, ka nisur që në korrik të 2023-shit, me shkarkimin e sekretariatit të Partisë, lëvizje e cila spostoi Damian Gjiknurin nga posti i sekretarit të përgjithshëm për t’ia besuar detyrën Blendi Klosit. Ndryshimet do të prekin edhe drejtuesit e degëve në bazë, ndërsa në muajin prill pritet të zhvillohen zgjedhjet për delegatët e Kongresin e PS. Kongresi i ri, do të zgjedhë asamblenë e re, e kjo e fundit do të votëbesojë anëtarët e rinj të Kryesisë.

Artikulli paraprakI SHPALLUR NË KËRKIM PËR VJEDHJE, 27-VJEÇARI ARRESTOHET NË PIKËN KUFITARE TË MURIQANIT
Artikulli tjetërBERISHA PUBLIKON PAMJET NGA ATENTATI NË KURBIN