Prej orës 10:00 po zhvillohet tryeza e dytë e organizuar nga OSBE-ja për reformën zgjedhore në nivel teknik. PD-ja, ashtu si në 25 shtator ka pranuar që të marrë pjesë në tryezë, ndërsa përfaqësuesi është i njëjtë, Ivi Kaso.
Por në çfarë faze ndodhet Reforma Zgjedhore? Partia Demokratike ka deklaruar se nuk e njeh Komisionin e Posaçëm Parlamentar duke kërkuar qe reforma të realizohet nga PS dhe PD me praninë e ndërkombëtareve.
Por ndërkombëtarët nuk e kanë pranuar thirrjen e opozitës, duke kërkuar që të jenë vetë partitë që të arrijnë mirëkuptimin, teksa ambasadori i OSBE-së ka deklaruar se nëse opozita kërkon mund të japë vetëm ekspertizë për këtë reformë.
Përballë kësaj situate, OSBE-ja është kthyer në ndërmjetëse mes draftit që po përgatitet nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore dhe atij tryezës paralele të opozitës, PD-së me aleatët për të synuar harmonizimin dhe miratimin në parlament. Pak ditë më parë shumica vendosi që të shtynte afatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore deri në fund të muajit shkurt.
Deri tani Komisioni i Posaçëm Parlamentar me përbërje të deputetëve të shumicës dhe opozitës, që drejtohet nga Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri kanë punuar në dy drafte, depolitizimin e komisionerëve dhe financimin e partive politike. Ndërsa opozita në tryezën paralele ka zhvilluar disa takime ku ka diskutuar për votimin elektronik dhe financimet, por ende nuk është zbuluar drafti i plotë me propozimet.
Kryeministri Rama ka deklaruar se reforma zgjedhore do të miratohet në dy faza, e para brenda dhjetorit me rekomandimet e OSBE-së (e dyta për sistemin dhe të tjerat vitin tjetër) me apo pa opozitën në Kuvend,
ndërsa ka shtuar se nuk do të presë pa fund Lulzim Bashën (opozita ka një karrige në komision dhe të drejtën e vetos). Por pas kushtit të panegociueshëm të opozitës në Kuvend se nuk e japin votën pa u miratuar gjithcka në një fazë përfshirë ndryshimin e sistemit, Damian Gjuknuri e la hapur derën.