Mbledhja në selinë rozë të partisë socialiste të Shkodrës në praninë e koordinatorit të PS Ditmir Bushati është zhvilluar kryesisht në tona të qeta por sërish batutat dhe diskutimet nuk kanë munguar.
Deputeti socialist Paulin Sterkaj nga burime brenda mbledhjes ka lëshuar një batutë duke thënë se “para pak kohësh erdhi njëri në Shkodër ndërroi dy tre drejtorë dhe u largua. Partia Socialiste jemi ne këtu brenda dhe jo të tjerët, jemi në siglën e PS dhe siglat e tjera nuk janë punë e jona”-mësohet të ketë thënë deputeti Sterkaj. Për drejtorët e pushuar sëfundmi në Shkodër deputeti socialist ka deklaruar se do të shkojnë sërish në vend. Një debat është zhvilluar edhe mes deputetit Sterkaj dhe Martin Cubit, ky i fundit një prej eksponentëve kryesor në radhët e socialistëve. Cubi ka përmendur çështjen e punësimeve duke lënë të nënkuptohet se pjesën më të madhe të drejtorive të PS në Shkodër i komandon deputeti Sterkaj. Më tej Cubi ka bërë edhe një përllogaritje të thjeshtë duke thënë se në 2013 socialistët vetëm në Shkodër nga 4 deputet të PS në përqindje 2.4 janë marrë në Shkodër dhe 1.6 në Malësinë e Madhe, Pukën, Fushë-Arrësin dhe Vau Dejësin sëbashku. Po ashtu ka shtuar se në 2015-të në zgjedhjet vendore kishte një rënie të numrit të votave për PS. Sipas burimeve deputeti Sterkaj është përgjigjur se ai ka reputacion e po ashtu edhe elektorat kudo ndërsa në zgjedhjet e 2015-të deputeti Sterkaj deklaroi se përgjegjësi e tij ka qenë Malësia e Madhe dhe se në ato zgjedhje kishte shumë faktor që ndikuan në atë humbje. Deputeti Sterkaj kërkoi që të ketë një bashkim mes socialistëve dhe jo ndarje mes tyre. Përpos debatit që lidhej me punësimet dhe protagonizmin në dy zgjedhje të ndryshme, koordinatori Bushati kërkoi që tashmë të mos zhvillohen vetëm mbledhje asambleje por edhe takime me grupet e interesit në Shkodër. Të diskutohen dhe të dëgjohen problemet e qytetarëve dhe të gjendet zgjidhje për ta, ashtu siç kërkoi që të paguhen kuotat për partinë ndërsa pranoi problemet që janë me punësimin. PS do ketë tashmë koordinator në çdo ZAZ dhe një sekretar organizativ dhe një tjetër sekretar për popullin. Lista e shtabit drejtues që do jetë në ballë të punës duhet të jetë e afishuar ndërsa të shtunat dhe të dielat tashmë do jenë ditë pune në funksion të partisë edhe për drejtorët apo anëtar të tjerë të shtabit që janë të punsuar.