Administrata Trump publikoi zyrtarisht buxhetin e Shteteve të Bashkuara, në vlerë prej 4.1 trilionë dollarësh, për vitin fiskal 2018.
Buxheti i ri parasheh 800 miliardë dollarë shkurtime në kujdesin shëndetësor dhe mbi 192 miliardë dollarë më pak në programet ushqimore. Më pak mjete do të ketë edhe për të ashtuquajturat programe të sigurisë, të tilla si kreditë për kolegje dhe përfitimet pensionale të punonjësve federalë. Mbi 29 përqind e mjeteve do të reduktohen edhe për diplomacinë, ndihmën e huaj dhe programet jashtë SHBA-së.
Propozim-buxheti, ndërkaq, përfshin 54 miliardë dollarë më shumë për shpenzimet ushtarake dhe 1.6 miliard dollarë për të filluar ndërtimin e një muri kufitar me Meksikën. Buxheti duhet të shkojë për miratim në Kongres, ku priten ndryshime të mëdha, edhe pse republikanët e Trumpit i kontrollojnë të dyja dhomat. Kongresi duhet të kalojë ligjin e shpenzimeve deri më 30 shtator, kur është edhe fundi i vitit fiskal, për të shmangur mbylljen e qeverisë. Trump, i cili nuk mori pjesë në prezantimin e buxhetit pasi ndodhet në turne zyrtar, e ka titulluar atë “Një Fondacion i Ri për Madhështinë e Amerikës”.