Grupi i sportistëve të Shoqatës së Boksit “North Boxing Albania” me qendër në Shkodër, ka arritur një marrëveshje me Bashkinë Pukë, për ta përfaqësuar këtë qytet në aktivitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë është miratur në mbledhjen e rradhës të Këshillit Bashkiak Pukë, ku të gjithë këshilltarët kanë rënë dakord për ngritjen e ekipit të boksit të Tërbunit.

Në këtë mbledhje të Këshillit Bashkiak ishte i pranishëm edhe trajneri Emiliano Çekini, i cili shpalosi projektin e tij për rritjen e cilësisë së këtij sporti. Vetë Çekini, në një intervistë për “Star Plus” tregoi më shumë detaje rreth kësaj marrëveshje të re, ndërsa tha se ai dhe ekipi i tij do të bëjnë maksimumin që Tërbuni dhe Puka të përfaqësohen denjësisht në aktivitetet kombëtare.

Në të ardhmen, Çekini premtoi se në bashkëpunim edhe me Federatën Shqiptare të Boksit, në Pukë do të organizohen edhe aktivitete ndërkombëtare boksi.

Në këtë mënyrë, përveç futbollit, mundjes, alpinizmit dhe skive, klubi sportiv Tërbuni do të ketë në organikën e tij tashmë edhe boksin.

Artikulli paraprakVIJON REZISTENCA KUNDËR HEC-it NË MIRDITË
Artikulli tjetërMAKINA BIE NË KANAL, PLAGOSEN 3 TË RINJ