Reshjet e borës dhe ngricat e krijuara në rrugët e veriut kanë bërë që një furgon të dalë nga rruga teksa po udhëtonte në rrethin e Pukës.

Sipas njoftimit të drejtorisë vendore të policisë së Shkodrës nga ky aksident nuk ka dëme në njerëz por vetëm lëndime të lehta të drejtuesit të mjetit dhe 5 pasagjerëve që po udhëtonin me të. Menjëherë janë dërguar drejt spitalit rajonal të Pukës dhe shtetasi P.N, 56 vjeç, drejtues i furgonit bashkë me 5 pasagjerët gjenden jashtë rrezikut për jetën. Furgoni sipas policisë së Shkodrës po udhëtonte në aksin rrugor Pukë-Qafë Çelë dhe në afërsi të fshatit Kçirë, si pasojë e ngricave mjeti tip benz furgon me targë AA 120T ka dalë nga rruga. Menjëherë në vendgjarje kanë mbërritur forcat e policisë të cilët po bëjnë edhe hetimet paraprake të kësaj ngjarjeje. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se furgoni që doli nga rruga dyshohet se nuk ishte i paisur me zinxhir gjë e cila e ka bërë më të lehtë aksidentin. Shpejtësia nuk ka qenë shumë e madhe sepse në të kundërt pasojat do kishin qenë tragjike. Rrugët në rrethin e Pukës janë mbuluar nga bora e rënë sëfundmi ndaj edhe të gjithë qytetarët duhet që të bëjnë kujdes dhe të jenë të paisur me zinxhir sepse rreziku i aksidenteve dhe daljes nga rruga si në rastin konkret është i madh

Artikulli paraprakNGRICAT, SHKODER – PUKE FURGONI DEL NGA RRUGA
Artikulli tjetërSHKODRANËT: NUK BESOJMË TEK REFORMA NË DREJTËSI