Pukë, dëmtohen dhjetëra hektarë pyje me pisha

Një vit pasi Ministria e Mjedisit ndërmori fushatën e gjërë të dezinfektimit të kurorës së gjelbërt në 6400 ha pyje në 4 qarqe të vendit, sëmundja e proçesionares është rishfaqur sërish. Rrethi i Pukës vijon të jetë më i godituri nga sëmundja e pishave, ku mjafton një vëzhgim i thjeshtë për të kuptuar situatën në të cilën ndodhet sot ky masiv pyjor. Sëmundja është përhapur me shpejtësi dhe asnjë pemë nuk ka mbetur e paprekur, madje duket sikur gjurmët e dezinfektimit janë të largëta. Inspektoriati i pyjeve në qarkun e Shkodrës thotë se nuk ka asnjë të dhënë sa është në shifra sipërfaqja e prekur, nëse do të ketë një tjetër ndërhyrje nga ajri apo jo. Procesionarja e dëmton pishën në mënyrë të pakthyeshme nëse nuk ndërhyhet në kohë duke shkaktuar tharjen e plotë të saj. Ajo luftohet në mënyrë mekanike, duke i mbledhur insektet, sa janë ende në boçen e tyre dhe më pas digjen. Kjo njihet ndryshe si forma më e mirë e luftimit, pasi dezinfektimi nga ajri mbetet më sipërfaqësor. Të dhënat tregojnë se procesionarja ka aftësi shumimi të jashtëzakonshme, pasi flutura mund të zhvendoset në një hapësirë 10 deri në 15 kilometra dhe prek zonat e pastruara, ç’ka tregon se lufta duhet të jetë e vazhdueshme për të shpëtuar pyjet me pisha në Pukë, që përbëjnë sot 40% të sipërfaqes së gjelbërt të vendit. Tashmë që shërbimi pyjor i ka kaluar pushtetit vendor, ky i fundit do ta ketë akoma më të vështirë te menaxhoje pyjet, për shkak të mungesës së fondeve dhe kapaciteteve njerëzore.

Artikulli paraprakSEKUESTROHET NJË SASI REKORD CIGARESH NË PORTIN E PIREUT
Artikulli tjetërKUJDESTARIA PËR FËMIJËT, KËRKOHEN NDRYSHIME LIGJORE