Policia e Pukës në bashkëpunim me atë të Krujës kanë arrestuar dy shtetasit Agron Bami dhe Gëzim Ndoj.
Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë në kuadër të operacionit “Lokalizimi” i nisur pak ditë më parë. Shtetasit Agron Bami 33 vjeç banues në fshatin Nikël të Krujës dhe Gëzim Ndoj 40 vjeç banues në Fushë Arrës të Pukës që u arrestuan nga policia e Pukës dhe Krujës ishin shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Policia bën të ditur se pas hetimeve proaktive të kryera nga Policia e Pukës, në bashkëpunim me Prokurorinë, rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim dhe me shtetasin Jozef Gjoka i arrestuar 2 ditë më parë dyshohen si autorë të veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike e kryer në bashkëpunim”, ndodhur në vitin 2018 në Fushë Arrëz , si dhe për “Armëmbajtje pa leje”.
Tashmë policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Dy ditë më parë policia e Pukës në bashkëpunim me atë të Krujes arrestuan edhe shtetasin Jozef Gjoka në kuadër të operacionit të nisur “Lokalizimi”.
Shtetasi Jozef Gjoka që u arrestua në operacionin e policisë se Pukës dhe Fushë Krujës ishte shpallur edhe ai në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Në njoftimin e saj policia bëri të ditur se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe falë një pune të mirëorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar “Lokalizimi”, si rezultat i të cilit u kap dhe ndalua shtetasi i shpallur në kërkim Jozef Gjoka 25 vjeç, banues në Nikël, Krujë dhe pas dy ditësh dy bashkëpunëtorët e tjerë Agron Bami dhe gëzim Ndoj.
Ndalimi i Jozef Gjokës u bë pasi ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Pukë dhe në bazë të plan-operacionit për kapjen e tij, forcat policore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, kanë bërë lokalizimin dhe kapjen e tij në fshatin Nikël të Krujës.
Gjykata e Shkallës së Parë Pukë, pas hetimeve proaktive të kryera nga Policia e Pukës, në bashkëpunim me Prokurorinë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë shtetas, pasi dyshohet si autor i veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, në vitin 2018, në Fushë Arrëz bashkë me dy të arrestuarit e tjerë.