Pavarësisht se punimet për rikonstruktimin e bllokut të pallateve në Xhabije vijojnë normalisht, afati prej 7 muajsh për përfundimin e tyre nuk është zbatuar.
Në bazë të projektit mbi 45 milionë lekësh me TVSH, punimet duhet të ishin mbyllur gjatë muajit mars. Megjithatë, banorët e lagjes shprehen optimistë, ndërsa presin vendosjen e ndriçuesve në zonë. Ndryshe nga sa u deklarua muaj më parë, banorët tashmë shprehen pozitivisht ndaj projektit. Sipas tyre, kundërshtimi i punimeve ka ndodhur për shkak të mungesës së konsultimeve. Punimet e nisura gjatë muajit gusht të vitit të kaluar kanë hasur një sërë problematikash. Fillimisht, projekti u bllokua për shkak të gjetjes së disa municioneve të vjetra në lagje, ndërsa më pas ishin vetë banorët të cilët kundërshtuan punimet. Një tjetër arsye e shtyrjes së këtyre punimeve është edhe vendimi i Këshillit Bashkiak për shpronësimin e disa objekteve me qëllim zbatimin e projektit.