Kryetarja e Bashkisë Shkodër zj. Voltana Ademi ka pritur me kërkesën e tyre një përfaqësi të punonjësve dhe sindikatës së Kompanisë “Alcable”, ish- Uzina e Telave në qytetin tonë. Takimi është zhvilluar në zyrën e kryebashkiakes Ademi ku përfaqësia e punonjësve e informoi për problematikën me të cilën ata përballen.
33 punonjës prej dy muajsh janë të papunë pasi që Inspektoriati i Punës ka mbyllur aktivitetin e kompanisë, e cila rezulton debitore ndaj punonjësve por edhe shtetit. Punonjësit nuk janë paguar prej 8 muajsh dhe nuk janë derdhur as sigurimet shoqërore përkatëse prej 7 muajsh. Përfaqësuesit kanë informuar zj. Ademi edhe për ecejaket dhe premtimet e dhëna e të pambajtura nga zyrtarë të dy ministrive që kanë në varësi dyfishe koncensionin shtetëror të “Alcable”.
Premtimi më i fundit dhe i pambajtur, i deklaruan punonjësit kryebashkiakes ka të bëjë me mosmarrjen në administrim shtetëror të ndërmarrjes me datë 8 janar, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Duke i kërkuar mbështetje në zgjidhjen e problemeve të tyre, ata infomuan se aktualisht ndërmarrja është në mëshirë të fatit, punonjësit nuk mund të hyjnë brenda saj dhe vetëm disa punonjës vazhdojnë akoma të ruajnë objektin pa pagesë dhe në kushtet e mungesës së plotë të energjisë elektrike.
Nga ana e saj kryetarja e Bashkisë zj. Voltana Ademi, e ka konsideruar të drejtë shqetësimin e tyre. Ajo i ka garantuar për mbështetje të gjithanshme në aspektin judirik dhe të marrjes së informacionit të nevojshëm për përshpejtimin e zgjidhjes së problemit. Po ashtu, kryebashkiakja Ademi mori përsipër inicimin e një tjetër takimi me faktorë të tjerë lokalë e qendrorë për të vënë në rrugën e zgjidhjes përfundimtare këtë çështje.