Presidenti rus Vladimir Putin anulon vizitën në Francë, shkak lufta në Siri
Presidenti rus Vladimir Putin anuloi një vizitë të planifikuar në Francë, pasi Presidenti francez Francois Hollande kishte ngulur këmbë që fokusi i takim të tyre të ishte vetëm Siria. Putin kishte në plan të shkonte në Paris më 19 tetor për një vizitë që do të përfshinte përurimin e një kishe të re ortodokse. Ndërkohë, ministri i jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault tha dje se Rusia mund të përballet me krime lufte për fushatën e saj të bombardimeve në qytetin verior të Alepos në Siri. Ministri francez Jean-Marc Ayrault i tha radios France Inter se bombardimet janë krime lufte, dhe kjo vlen për “të gjithë ata që janë bashkëfajtorë për atë që po ndodh në Alepo, duke përfshirë edhe udhëheqësit rusë.” “Rusia është një partnere, jo armike, por ne kemi një mosmarrëveshje të thellë për të cilën duhet të flasim. Nëse Presidenti Hollande vendos ta presë presidentin rus në Francë, takimi nuk do të jetë një shkëmbim komplimentesh. Takimi do të ishte një moment për të thënë të vërtetën, për gjetjen e një zgjidhjeje mbi atë që po ndodh në Siri dhe për ta bindur Rusinë që ajo ta kuptojë se është në rrugë të rrezikshme”. Jean-Marc Ayrault tha se Franca do të konsultohet me prokurorët nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për të parë se si mund të nisin hetimet. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot se zoti Putin është i gatshëm të takohet me zotin Hollande në një kohë të përshtatshme për udhëheqësin francez, ndërsa zoti Hollande tha sot në një fjalim se ai mbetet i gatshëm për bisedime nëse ato e “thellojnë paqen”. Moska vazhdimisht ka mohuar akuzat për sulme ndaj civilëve në Siri, duke pretenduar se në shënjestër të sulmeve ruse janë grupet terroriste. Rusia javën e kaluar bllokoi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të propozuar nga Franca dhe Spanja për t’i dhënë fund bombardimeve në Siri. Nuk është e qartë se si Gjykata Penale Ndërkombëtare do të mund të hetonte bombardimet në Alepo, pasi Rusia dhe Siria nuk janë anëtare të të gjykatës. Çështja mund t’i referohet gjykatës nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por këshilli është i bllokuar në lidhje çështjen e Sirisë.