Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në një intervistë dhënë të përditshmes gjermane “Bild”, ka folur edhe për Kosovën dhe krahasimin e saj me Krimen.
Putin ka thënë se sipas Kombeve të Bashkuara secili vend ka të drejtë për vetëvendosje. “Sipas Kombeve të Bashkuara secili komb ka të drejtë për vetëvendosje, vetëm merreni Kosovën si shembull. Atë botë ishte vendosur nga Kombet e Bashkuara se Kosova mund të ndahet nga Serbia dhe të jetë e pavarur dhe interesi i qeverisë së Serbisë duhet që të qëndroj prapa atij vendimi. Këtë ju mund ta lexoni në të gjitha dokumentet madje edhe në gjermanisht”, ka thënë Putin për Bild. I pyetur nëse ka ndonjë dallim pasi që qeveria e Serbisë më herët kishte bërë luftë ndaj shqiptarëve të Kosovës duke i përzënë ata nga vendi, Putin është përgjigjur: “Fakti është që aty ka ekzistuar një luftë e gjatë, ku Serbia dhe kryeqyteti i saj Beogradi janë bombarduar. Ka qenë një intervenim ushtarak nga Perëndimi dhe NATO ndaj ish Jugosllavisë. Ndërsa tani më lejoni të ju pyes. Nëse populli i Kosovës, ka të drejtë për vetëvendosje, a nuk duhet që edhe populli i Krimes ta ketë këtë të drejtë? Unë mendoj se të gjithë duhet të respektojmë rregullat ndërkombëtare dhe jo t’i ndryshojmë sa herë që atyre iu konvenon”, ka përfunduar Putin.