
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka sugjeruar që Ukraina të vendoset përkohësisht nën administrimin e OKB-së me qëllim zgjedhjen e një qeverie më “kompetente”, siç e ka quajtur ai. Duke folur me ekuipazhin e një nëndetëseje bërthamore në qytetin e largët rus të Murmanskut, Putin tha se një administratë e përkohshme nën kujdesin e OKB-së mund të diskutohej “me Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe sigurisht me partnerët dhe miqtë tanë”.
“Kjo do të bëhej për të mbajtur zgjedhje demokratike, për të sjellë në pushtet një qeveri të aftë dhe të besuar nga populli dhe pastaj për të filluar me të bisedimet për një marrëveshje paqeje dhe për të nënshkruar dokumente legjitime,” shtoi ai.
Ukraina e ka akuzuar Putinin për propozimin e ideve “të çmendura” me qëllim shtyrjen e përparimit drejt një marrëveshjeje paqeje, e cila po promovohet nga presidenti amerikan, Donald Trump. Shtëpia e Bardhë ka insistuar se qeverisja e Ukrainës do të vendoset nga kushtetuta dhe populli i saj. Komentet e Putinit vijnë në një kohë kur SHBA po përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim në luftën e plotë me Ukrainën, e cila tani ka hyrë në vitin e saj të katërt. Të martën, Shtëpia e Bardhë njoftoi se të dyja palët kishin rënë dakord për një armëpushim të kufizuar në Detin e Zi. Megjithatë, Rusia më pas paraqiti një listë kushtesh, duke përfshirë heqjen e disa sanksioneve perëndimore, duke nxitur shqetësime se Moska po përpiqej të pengonte çdo lëvizje drejt një armëpushimi. Moska pretendon se autoritetet aktuale ukrainase janë të paligjshme, meqë presidenti Volodymyr Zelensky ka qëndruar në pushtet përtej mandatit të tij dhe për këtë arsye nuk është një partner i vlefshëm për negociata. Por Zelensky ka qëndruar në detyrë sepse zgjedhjet janë shtyrë, ligjërisht për shkak të ligjit ushtarak dhe praktikisht për shkak të kaosit të luftës. Do të ishte pothuajse e pamundur të mbaheshin zgjedhje normale kur më shumë se pesë milionë qytetarë ukrainas janë të zhvendosur jashtë vendit dhe qindra mijëra të tjerë ndodhen në vijën e frontit. Duke kërkuar zgjedhje, Putin përpiqet të ngrejë dyshime për legjitimitetin e Zelenskyt si negociator në bisedimet për paqe. Këtë narrativë tashmë e ka përsëritur edhe Shtëpia e Bardhë. Dhe nëse Putin do të arrinte të impononte zgjedhje, ai mund të shpresonte që kjo të përçante dhe shpërqendronte Ukrainën, ndërsa ai do të përparonte në fushën e betejës. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, më vonë u përpoq të sqaronte komentet, duke thënë se ato ishin një përgjigje ndaj “humbjes së kontrollit” nga Kievi. Ai gjithashtu deklaroi se forcat e armatosura të Ukrainës nuk po i bindeshin urdhrave të udhëheqjes së tyre dhe po vazhdonin të sulmonin instalimet energjetike ruse, pavarësisht një moratoriumi mbi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të rënë dakord në bisedimet me SHBA.
Ukraina i ka quajtur gënjeshtra raportet ruse për këto sulme, ndërsa vetë e ka akuzuar Moskën se vazhdon të sulmojë infrastrukturën e saj.
Pse Rusia e Putinit pushtoi Ukrainën?
Putin tha se propozimi i tij për një qeveri kalimtare ishte vetëm një nga shumë opsione, por ai përmendi precedentë ndërkombëtarë për kontrollin e OKB-së, si Timori Lindor dhe disa pjesë të ish-Jugosllavisë. Shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, iu përgjigj komenteve të Putinit, duke thënë se Rusia po përpiqej të vononte përparimin drejt paqes dhe kishte zgjedhur të vazhdonte luftën. Ndërkohë, një zëdhënës i sigurisë kombëtare të SHBA tha për agjencinë Reuters se qeverisja në Ukrainë përcaktohet nga kushtetuta dhe populli i saj. Në të njëjtin takim, lideri rus tha se Moska kishte “iniciativën strategjike” përgjatë gjithë vijës së frontit në luftë dhe se “ka arsye për të besuar se mund t’i shkatërrojmë forcat ukrainase”. Por pavarësisht deklaratave të shpeshta për përparim në luftime, Rusia ka bërë përparime shumë të ngadalta dhe të kufizuara në marrjen e territorit në lindje të Ukrainës. Deklaratat e Putinit vijnë pas një takimi të enjten midis Zelenskyt dhe aleatëve evropianë në Paris, ku presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po propozonin plane për një “forcë sigurie” në Ukrainë. Rusia nisi një pushtim të plotë të fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.