Rusia po rrit presionin ndaj Ukrainës duke qëlluar me raketa Kievin dhe me kërcënime të reja të kreut të Kremlinit, Vladimir Putin.

Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi se do të ashpërsojë sulmet e rënda ndaj Ukrainës, nëse ajo furnizohet me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi. “Nëse ata japin armë të tilla, atëherë ne do të nxjerrim përfundimet e duhura dhe do të përdorim mjetet tona të ‘asgjësimit’, prej të cilave kemi mjaftueshëm, për të goditur ato objekte që nuk i kemi sulmuar deri tani”, tha Putini në një intervistë për televizionin shtetëror “Rosiya 1”. Qëllimi i dërgimit të armëve perëndimore është që ta zgjasin sa më shumë konfliktin në Ukrainë, tha ai.

Sa u përket njoftimeve nga SHBA-ja për furnizim të Ukrainës me raketahedhës shumëfishësh ultramodernë të tipit Himars, kreu i Kremlinit reagoi i shpenguar, duke thënë se për Ukrainën kjo nuk ndryshon asgjë thelbësore në shpërndarjen e forcave.

Tanke moderne për Ukrainën?

Sipas një njoftimi të gazetës “El País” Spanja dëshiron të dërgojë në Ukrainë tanke gjermane të tipit Leopard 2 A4 dhe si dhe raketa kundërajrore. Duke cituar informacione nga Ministria e Mbrojtjes në Madrid gazeta shkruan, se bëhet fjalë për tanke të nxjerrë jashtë përdorimit, që fillimisht duhet të rikthehen në gjendje luftimi. Trajnimi i ushtarëve ukrainas me këto tanke do të bëhet fillimisht në Letoni dhe më vonë në Spanjë.

Kjo është hera e parë që Ukraina furnizohet me tanke moderne perëndimore në luftën kundër ushtrisë ruse. Deri më sot politikanët e Partisë Socialdemokrate (SPD), parti në pushtet në Gjermani, kishin theksuar se ekziston midis vendeve të NATO-s një marrëveshje joformale për të mos derguar armë të tilla në Ukrainë./DW

Artikulli paraprakANULOHET VIZITA E MINISTRIT RUS LAVROV NË SERBI, ZBULOHET ARSYEJA
Artikulli tjetërIMPORTUESIT E VAJIT TË LULEDIELLIT ANKOHEN TE BORDI PËR RRITJEN E KONTRABANDËS NGA MAQEDONIA, KOSOVA E MALI I ZI! BIEN SHITJET ME 55%