Deputeti Flamur Noka ka folur për mediat pas dhënies së dëshmisë së tij në Prokurori, për protestën e 8 janarit.
Noka tha se i ka bërë thirrje të hetojë mbledhjen e firmave për Kuvendin e 18 dhjetorit, të thërritur me vendim kryesie nga PD. Ai shtoi se po ashtu ka bërë edhe denoncime të tjera dhe pret rezultate.
“Për çfarë më thërritën pyesni urdhëruesin që është Edi Rama. I bëra thirrje prokurorisë të hetojë për një mashtrim publik që pengu i ka bërë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve më 18 dhjetor, duke sajuar numra të gënjeshtërta dhe duke mashtruar për 5.004 delegatë.
“Duke mashtruar edhe ndërkombëtarët e falsifikuar firmat. Në emrat e lexuar ka edhe të vdekur dhe emra që nuk ekzistojnë fare. Sot i bëra thirrje prokurorisë për dhunën barbare të ushtruar nga policia për demokratët. I bëra thirrje prokurorisë të hetojë edhe Sokol Bizhgën. Një kryebandit me uniformë që ushtroi terror”, u shpreh Noka.
Kujtojmë se Flamur Noka, po hetohet në gjendje të lirë, pasi ishte ai që njoftoi zyrtarisht policinë se në 8 janar do të mbahej një protestë para selisë së PD-së.
Deputeti do të pyetet nga Mazreku për mënyrën se si do të organizohej protesta dhe nëse kishte dijeni për skenarët e dhunës që ndodhën.