Pyjet e Rajcës pa përkujdesje edhe pse janë të mbrojtura nga UNESCO
Asnjë përkujdesje për pyjet shekullor në zonën e Rrajcës në Përrenjas. Edhe pse të shpallura trashëgimi botërore e natyrës nga UNESCO do të duhet të kalosh disa vështirësi. Vështirësia e parë është rruga, por siç thonë specialistët kjo është një anë e mirë se ka shpëtuar disi shkatërrimin e kësaj pasurie të natyrës. Ndërsa mundësia për ta vizituar atë është thuajse zero, pasi për të shkuar deri atje rruga është e pakalueshme. Pasi kalon “6 lisat”, vend që ekziston vetëm si toponim pasi lisat janë zhdukur me kohë, zbret poshtë dhe i afrohesh dy fshatrave përreth pyjeve të Rrajcës Skënderbe dhe Bardhaj. Skëndërbe është i pari fshat që në hyrje shoqërohet nga një legjendë. Shkalla e Skëndërbeut sipas gojëdhënave është krijuar nga Skëndërbeu gjatë rrugës për të zbritur në fushën e Domozdovës. Një gurëkalitës i zonës ka realizuar përkrenaren, shpatën dhe parzmorën e Skënderbeut. Ndërsa i afrohesh fshatit Skëndërbe ajo çfarë të bie në sy më shumë janë gardhet prej dërrase, çatitë me fletë druri dhe njerëz që kujdesen për mushkat, si mjeti i vetëm i transportit për shkak të vështirësisë së rrugës. Edhe pse nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë trashëgimi botërore, për ta ky lajm konsiderohet i mirë pasi shpresojnë se do ti sjellë më shumë investime. Nuk kanë rrugë, shkolla është në gjendje të vështirë dhe pak mundësi për jetesën. Ata janë shpresëplotë se shpallja pasuri natyrore e njerëzimit do të bëjë që tek ata të ketë më shumë investime. Banorët duken miqësore megjithëse siç na tregojnë drejtues të Zonave të Mbrojtura, në këto fshatra ka elementë që nuk ndalen së preri pyjet për të shitur disa meter kub dru. Edhe pse janë denoncuar dhe kanë përfunduar në prokurori, shumë shpejt kanë arritur të dalin dhe ti rikthehen aktivitetit të tyre të prerjes së pyjeve. Fatmir Brazhda drejtor i Fondit Pyjor thotë se ky është një problem që nuk po gjen zgjidhje madje krijon konflikte individuale mes mbrojtësve të pyllit dhe keqbërësve. “Në fakt kjo zonë është me pyje ahu mbi 300 vjecare dhe nga 2006 është shpallur si zonë strikte dhe më pas si park kombëtar ku nga 34 mijë hektar 200 janë këto pyje ahu të moçme, të virgjëra. Nga UNESCO janë shpallur vlelrë e trashëgimisë kulturore një vlerë e madhe për të gjithë Shqipërinë sepse janë pyje që kanë biologji të pasur. Prejet kanë qënë problematika më e madh. Disa herë kemi marrë masa. Por nga drejtësia është parë se nuk është dicka e rëndë që të priten pyjet dhe ne jemi të sfiduar nga keqberësit “, shprehet Fatmir Brazhda Roja i pyllit të zonës thotë se e bën thuajse çdo ditë rrugën drejt kësaj pjese të parkut me motorin e tij. Mbrojtja e pyjeve është qëllimi i tij, dhe shpesh i është dashur të përballet me njerëz të papërgjegjshëm që nuk kanë ndalur sopatat me qëllim tregëtimin e lëndëve drusore. “Puna ime konsiston në mbrojtjen e fondit pyjor të parkut e biodiversiteti të parkut, mbrojtjen e florës dhe faunës nga dëmtuesit” shprehet roja Ndërsa hyn në brezin e parë të pyjeve të ahut, syri të zë trungje të vjetër të prerë dikur që mbulohen nga një habitat natyror i pakufinj. Janë 2200 hektarë pyje të shpallura trashëgimi botërore nga UNESCO. Në këtë magji të natyrës gjen pemë mbi 300 vjeçare të ahut me lartësinë që konkurojnjë njëri-tjetrin. Kjo sipërfaqe konsiderohet edhe brezi i fundit i Evropës dhe ndodhet në kufi me Maqedoninë. Për dy vjet është punuar bashkë me Euronatyrën gjermane për dokumentacionin që e bëri pjesë të listës së trashëgimisë botërore.