Një urdhër i ministrit të mjedisit Lefter Koka ka bërë që taska-forca “Roja e Gjelbër” të jetë në shërbim në 24 orë në 24 në mbarë vendin.
Edhe në Shkodër një grup i përbërë nga policia pyjore dhe inspektoriati i mjedisit janë stacionuar në urën e Mesit për të mos lejuar asnjë person që të kalojë me lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Është drejtori i policisë pyjore Mark Ndou ai që tregon për këtë shërbim 24 orësh tek ura e Mesit.
Deri tani nuk ka ndonjë rast që është konstatuar me abuzim për prerjen e paligjshme të pyjeve. Pavarësisht kësaj drejtori Ndou shprehet se grupi i task-forcës “Roja e Gjelbër” do vazhdojë të jetë aty përgjatë 24 orëve për të zbatuar urdhërin e ministrit të mjedisit Lefter Koka deri në një vendim të dytë që mund ta shfuqizojë.
Tek ura e Mesit janë instaluar disa kamera profesionale të cilat funksionojnë përmes paneleve diellore dhe janë të lidhur online me drejtorinë e përgjithshme në Tiranë. Këto kamera regjistrojnë deri në një largësi të konsiderueshme të gjitha rrugët e mundshme ndërsa funksionojnë edhe gjatë natës përmes rrezeve infra të kuqe për të kontrolluar lëvizjen e çdo mjeti të mundshëm.
/ Star Plus TV /