Ka dy vite që investimi në qendrën shëndetësore të lagjes “Xhaferraj” të Oblikës, pjesë e njësisë administrative Ana e Malit ka përfunduar, megjithatë, askush nuk është shqetësuar për t’a vënë në funksion në shërbim të banorëve të zonës.
Nga një godinë që duhet t’u shërbente komunitetit në këtë zonë, ajo është kthyer në një xhungël barishtesh.
Si një ndërtesë totalisht e braktisur, qendra shëndetësore është bërë fatkeqësisht pre e vandalizimit të njerëzve të papërgjegjshëm.
Një pjesë e dritareve janë të thyera, ndërsa hapësira e brendshme e ka kthyer atë në një oaz të përshtatshëm për shtimin e zogjve dhe parazitëve.
Në këtë mënyrë, një investim i tillë ka shkuar dëm, ndërsa askush nuk shqetësohet të vërë në funksion atë çfarë u ndërtua. Ne provuam të komunikojmë me infermieren e kësaj zone, por ishte e pamundur.
Banorët jashtë kamerës na thanë se askush nuk shqetësohet.
Në mungesë të në alternative më të mirë, familjet e kësaj lagjeje janë të detyruar të udhëtojnë disa kilometër për të marrë shërbimin në qendra shëndetësore të tjera përreth zonës.