Këto pamje me borë vijnë nga maja e Qafë Thores e cila lidh Shkodrën me fshatin turistik të Thethit. Ky aks rrugor tashmë është bllokuar sërish për shkak të reshjeve të borës që janë rikthyer ditët e fundit. Ky segment i ka kaluar në administrim Autoritetit Rrugor Shqiptar këtë vit dhe ARRSH ka nënkontraktuar një firmë për mirëmbajtjen e këtij aksi. Firma ka nisur punën për hapjen e rrugës së Thethit por për momentin rruga vijon të jetë e bllokuar nga trashësia e borës.
Ata pak turistë të huaj të cilët gjejnë guximin për të shkuar në Thethin turistik ecin në këmbë edhe pse në fakt rrezikshmëria është e madhe për shkak të rënies së shpeshtë të orteqeve me borë siç ndodhi disa ditë më parë.
Një pjesë e gjatësisë së rrugës nga Qafë Thorja është hapur deri në vendin e njohur nga banorët “tek antenat” por për të shkuar në Theth është e pamundur për shkak të bllokimit nga bora.
Në këtë mënyrë të gjithë ata që kanë planifikuar të shkojnë këto ditë drejt Thethit për momentin është e pamundur për shkak të bllokimit të rrugës nga bora. Natyrshëm që bllokimi i rrugës krijon probleme tek bujtinat në Theth të cilat ndoshta edhe këtë vit do të duhet të presin fundin e pranverës derisa bora të shkrihet natyrshëm.