Në pranverën e këtij viti pritet që të rifillojë puna për ndërtimin e rrugës Qafë Thore-Theth e cila është tërësisht e amortizuar. Pyetja që shtrohesh shpesh është se pavarësisht këtij investimi që do të bëhet për rikonstruksionin e këtij aksi, a do të mund që turistët e huaj dhe pushuesit vendas apo edhe banorët të udhëtojnë për shkak se rruga bllokohet nga një trashësi e madhe e borës.
Biznesmeni Gjon Dugilaj si pjesë e një komiteti të ngritur për një sërë çështjesh për zonën e Dukagjinit këto ditë e ka bërë në këmbë rrugën nga Qafë Thorja në Theth duke treguar qartë me video se orteqet e mëdha të borës e bëjnë të pamundur kalimin e mjeteve aty edhe në rast se rruga rikonstruktohet. Këto video Dugilaj i ka dërguar në redaksinë e Star Plus Televizion.
Sapo mbërrin në gjysmën e rrugës së Qafë Thores në drejtim të Thethit, Dugilaj bën një tjetër video për t’i treguar kompanisë që do rikonstruktojë rrugën, institucioneve dhe banorëve se tarshësia e borës dhe orteqet e mëdha që bien jo vetëm se bëjnë të pamundur qarkullimin por janë edhe rrezik për turistët e huaj apo pushuesit vendas.
Duke ecur në këmbë përballen me një tjetër ortek bore edhe më të madh që tregon qartazi rrezikshmërinë e lartë në rrugën Qafë Thore-Theth gjatë muajve të dimrit kur reshjet e borës janë gjithnjë prezente atje.
Punimet për rrugën Qafë Thore-Theth u ndërprenë ende pa nisur mirë fillimisht për disa përplasje institucionesh dhe më pas për shkak të borës në muajt e dimrit. Pavarësisht se punimet mund të nisin në pranverë të këtij viti askush nuk siguron se rruga Qafë Thore-Theth do qëndrojë e hapur sepse trashësia e borës shkon atje edhe mbi 10 metër në disa raste.
Një shembull i dështim është rruga që të çon deri në Qafë Thore, ajo e Bogës që pavarësisht se është e asfaltuar sërish është e pakalueshme gjatë dimrit kur ka reshje bore sepse askush nuk e pastron.