Zgjedhja e Edmond Ndout në krye të këshillit të qarkut Shkodër është përshëndetur nga disa prej drejtuesve europian të niveleve rajonale, me të cilat institucioni i qarkut ka bashkëpunime dhe është anëtar i tyre. Në telegramet e urimit, drejtuesi i Konferencës së Rajoneve Periferike Detare të Europës Loïg Chesnais-Girard e fton kryetarin e qarkut Ndou, në takimin që do të mbahet në muajin Mars në Patras të Greqisë..

“Në emër të rajoneve anëtare të Konferencës së Rajoneve Periferike Detare të Europës dëshirojmë t’ju përshëndesim për zgjedhjen tuaj si Kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër. Konferenca e Rajoneve Periferike Detare, me 160 Rajone Anëtare dhe gjashtë Komisione Gjeografike, ka arritur një pozicion të dallueshëm në Europë gjatë këtyre viteve. Shpresoj shumë që nën drejtimin tuaj, konferenca dhe Komisioni i saj ndër-mesdhetar do të vazhdojnë marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit që kemi patur me qarkun tuaj që prej hyrjes së tij në organizatën tonë në vitin 2014. Ju uroj një mandat të suksesshëm dhe shpresoj të kemi kënaqësinë e takimit me ju në eventin tonë të ardhshëm të Kryesisë që do të mbahet në Patras të Greqisë më 22 Mars 2024”.

Francesco Cocco, sekretari i Përgjithshëm i Euro-rajonit Adriatiko-Jonian, përgëzon Ndoun për detyrën dhe e fton të thellojnë bashkëpunimet.

“Urimet më të mira zoti Ndou për zgjedhjen tuaj si Kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër. Duke ju Uruar më të mirën në punën tuaj, shpresoj të takohemi së shpejti për të vazhduar bashkëpunimin tonë.”

Ndërsa Christian Spahr, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë se Rajoneve të Europës shpreh bindjen në zgjerimin e fushave të bashkëpunimit.

“Jemi të kënaqur të urojmë për zgjedhjen tuaj dhe të punojmë me ju. Do të vazhdojmë shkëmbimet tona të frytshme në përputhje me qëllimet e përbashkëta. Unë gjithashtu do të jem i lumtur të bisedoj me zotin Ndou në rastin më të parë ose ta mirëpres atë në një nga takimet tona.”

Në përmbyllje të urimeve të tyre, përfaqësuesit e këtyre institucioneve vënë theksin tek ajo që mbetet një vlerë e Europës së pasur, shumë-etnike, me larmishmëri të vlerave kulturore e gjuhësore. Konferenca e Rajoneve Periferike Detare bashkon më shumë se 160 Rajone nga 24 Shtete të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Artikulli paraprakRAMA, ONLINE NË SAMITIN E LONDRËS: JEMI NJË VEND I MIRË PËR TË SHTUAR INVESTIMET SERIOZE
Artikulli tjetërTRAFIKU RRUGOR, SHTOHEN POLICËT NË QYTET