Në të gjithë territorin e qarkut Shkodër ka pasur reshje shiu dhe dëbore.
Në bashkinë Shkodër dhe në njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Kelmend ka prezencë të dëborës edhe në akset lidhëse të tyre. Në këto njësi lartësia e dëborës shkon nga 70-110 cm. Në bashkinë Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz, trashësia e dëborës shkon nga 80-100 cm. Në njësinë administrative Iballë, trashësia e dëborës shkon deri në 120 cm. Segmenti rrugor Bogë-Qafë Thore, Theth- Bregu i Lumit-Mali i Shoshi-Prekal vazhdon të jetë i pakalueshëm.
Bashkia ka kontraktuar disa subjekte, të cilat kanë vënë në dispozicion mjetet dhe forca për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Prekal-Theth, por nuk po ndërhyhet për shkak të lartësisë së madhe të dëborës. Subjekti kontraktor po punon për hapjen e segmemtit rrugor Qafë Shosh-Shalë-Theth. Akset rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Iballë vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Po punohet me mjete dhe forca për hapjen e këtyre akseve rrugore. Aksi rrugor Pukë- Qelëz është i bllokuar, ndërkohë në segmentin Fushë Arrëz-Pukë, po punojnë dy borëpastruese. Në aksin Fushë Arrëz-Iballë dhe në segmentin Fushë Arrëz-Qafë Mali po punojnë edhe dy borëpastruese të tjera. Segmentet rrugore Tamarë-Vermosh, Tamarë-Selcë janë të bllokuar.
Për hapjen e këtyre akseve rrugore po punojnë dy fadroma ndërsa në segmentin Tamarë-Kozhnje, po punojnë dy borëpastruese. Strukturat e KESH dhe OSHEE-së janë në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën, aktualisht informojmë se nuk ka probleme në të gjithë territorin e Qarkut për sa i përket furnizimit me energji elektrike.