Trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, pas fitores ndaj Teutës, kërkon edhe një tjetër rezultat pozitiv ndaj Egnatias. Në prononcimin e tij për mediat para ndeshjes me rrogozhinasit tha se ndihet i lumtur dhe krenar që drejton klubin më të vjetër në Shqipëri.
Osmani u shpreh se Vllaznia do të luajë ndaj ekipit më të mirë të kampionatit deri më tani dhe prandaj duhet kujdes.
Për ta kaluar me sukses këtë sfidë të vështirë dhe shumë të rëndësishme ndaj Egnatias, trajneri Qatip Osmani kërkon edhe mbështetjen e tifozërisë shkodrane, pasi Vllaznia ka nevojë për ta, teksa sipas teknikut edhe ata kanë meritën e tyre për rezultatet e fundit pozitive që po kalojnë kuqeblutë.
Ndeshja midis Vllaznisë dhe Egnatias do të luhet ditën e shtunë në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 17:00, ku ekipi kuqeblu do të jetë i plotë në këtë duel.