Një 36-vjeçar shqiptar në Gjermani është qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar.Ngjarja ka ndodhur në Gathe dy ditë më parë.
Sipas mediave gjermane, ka qenë ora rreth 21:00 kur qytetarët njoftuan policinë për të shtëna me armë zjarri.
Sapo autoritetet shkuan në vendngjarje, në rrugë gjetën të shtrirë shqiptarin, i cili kishte plagë arme. Pak më tutje ishte automjeti i tij i ndaluar në mes të rrugës.
36-vjeçari kishte mbetur i plagosur dhe u dërgua në spital, ku aktualisht është nën kujdes intensiv.
Nga hetimet e deritanishme të policisë gjermane është mësuar se shqiptari ka qenë brenda makinës së tij kur u qëllua me armë.
Edhe pse mbeti i plagosur, ishte në gjendje të dilte nga mjeti tip BMW, dhe më pas u gjet i shtrirë në rrugë. Pranë tij u gjet edhe një armë, për të cilën nuk ka të dhëna se kujt i përket.
Sa për autorët, ende nuk ka asnjë pistë nëse ka qenë një person i vetëm apo disa që sulmuan 36-vjeçarin shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Aktualisht po hetohet në pistën e vrasjes të mbetur në tentativë, ndërsa hetuesit gjermanë po kërkojnë edhe ndihmën e dëshmitarëve okularë.