Kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi është plagosur këtë të premte me thikë nga Orges Xhelili. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 afër godinës së bashkisë. I lënduar ka mbetur gjithashtu edhe shoferi i Kokoneshit, Gazmend Bullari.
Ngjarja paraprakisht dyshohet se ka ndodhur për dy shkaqe, shkarkimin e Xhelilit si punonjës IT nga bashkia e Divjakës dhe ulja në detyrë e partneres së tij e cila punonte si drejtoreshë e poliklinikës së Divjakës.
Menjëherë pas ngjarjes, Kokoneshi është transportuar në spitalin e Lushnjës së bashku me shoferin e tij dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën ndërsa autori është arrestuar.
Nuk është hera e parë që kryetari i bashkisë së Divjakës është sulmuar për shkak të detyrës së tij. Në korrik të këtij viti, Kokoneshi është dhunuar në mes të qytetit nga 32-vjeçari Dritan Sterkaj. Ka qenë vetë Kokoneshi i cili ka denoncuar se është qëlluar me grusht në fytyrë nga 32-vjeçari.