Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka vendosur shtrimin e përkohshëm në spitalin e burgut të Shën Kollit për 84 vjeçarin Fasli Hyka. I moshuari qëlloi me armë gjahu çifte mesnatën e 9 janarit në drejtim të disa të rinjve në lagjen “Partizani” të cilët arritën të shpëtojnë. Shtetasi Fasli Hyka qoftë nga prokuroria por edhe gjykata, avokati mbrojtës dhe familjarët është gjykuar se e ka emergjentë që të marrë mjekimet. Nga një kontroll i mjekëve 84 vjeçari rezultoi si një person me ç’rregullime mendore ndaj gjyqtarja Anisa Brinja Radovani vendosi të pranojë kërkesën e prokurores Entela Hasmegaj për ta dërguar në spitalin e burgut të Shën Kollit shtetasin Fasli Hyka me qëllim për të marrë medikamentet e duhura në mënyrë që gjendja e tij e shëndetit mendor të përmirësohet.
Ndërkohë gjatë këtyre 30 ditëve që do të qëndrojë në spitalin e burgut të moshuarit do t’i bëhet edhe një akt ekspertimi për të vërtetuar nëse në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i vetëdijshëm apo jo për shkak të problemeve mendore që ka. Në sallën e gjyqit shtetasi Fasli Hyka nuk ka dhënë ndonjë deklaratë por është vërejtur qartazi gjendja e tij e rënduar mendore. I moshuari u përfaqësua nga avokati i tij Ahmeld Ramadani i cili ishte dakord me vendimin për ta dërguar klientin e tij në spitalin e burgut në mënyrë që të mjekohet. Në rast se gjendja e tij mendore do të përmirësohet atëherë avokati Ramadani do të kërkojë masën e zbutur “arrest shtëpie” për shkak të sëmundjeve që ka shtetasi Fasli Hyka dhe faktit se është një i moshuar 84 vjeçar që dyshohet se ka qëlluar pa vetëdije në drejtim të tre të rinjve mesnatën e 9 janarit.
Tre personat që qëlloi ndaj tyre ndodheshin në rrugë kur papritur nga balkoni i tij në katin e pestë të një pallati 84 vjeçari qëlloi me çifte me pretendimin se i kishin bërë zhurmë por fatmirësisht plumbat nuk kapën asnjërin prej tyre. Ndërkohë në një operacion që zgjati mbi tri orë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë arritën që të bëjnë neutralizimin e shtetasit Fasli Hyka brenda banesës së tij pasi nuk pranoi që të dorëzohej. Bashkëshortja e 84 vjeçarit shtetasja Hyrije Hyka konfirmoi se burri i saj qëlloi ndaj të rinjve pasi këta të fundit po bënin zhurmë ndërsa më parë kishte njoftuar policinë. Tashmë do të shihet nëse Fasli Hyka do të ketë një përmirësim të shëndetit mendor dhe pritet nëse gjykata do pranojë apo jo kërkesën e palës mbrojtëse për masën “arrest shtëpie” pas një muaji. Gjatë kësaj kohe 84 vjeçari do të qëndrojë në spitalin e burgut të Shën Kollit për t’u mjekuar.