Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj qëndrimit të Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias. Ai i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit që ta rilexojë sërish opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe zbatojë atë. Bardhi ka theksuar se dezinformimi, që vazhdon edhe pas publikimit të opinionit, tregon një tentativë për të mbrojtur deputetët që shkelin Kushtetutën për përfitime personale, duke shkuar kundër rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

“Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë,” u shpreh Bardhi. Ai gjithashtu theksoi se kryeparlamentarja ka vetëm një detyrim: të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç sugjerohet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Bardhi nënvizoi se çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përqendrimi në detaje pa thelb nuk do të ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Reagimi i plotë:

Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale, tërësisht në të kundër të asaj që Komisioni i Venecias këshillon.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim: Të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç këshillon në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias. Çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përhumbja nga detaje pa thelb nuk ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe as të shtetit ligjor.

Artikulli paraprakOPINIONI I VENECIAS PËR MANDATIN E XHAÇKËS, REAGON SPIROPALI
Artikulli tjetërLUFTA KUNDËR KRIMIT DHE SIGURIA E QYTETARËVE, KRYEPOLICI PRODA PRET AMBASADORIN E ARABISË SAUDITE