Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të premten për ta zgjatur për një javë procesin e regjistrimit të popullsisë në vend, duke mbështetur kërkesën e dhjetëra komunave, njoftoi Zyra e Kryeministrit. Në një njoftim për media pas një mbledhjeje elektronike, ajo tha se gjithashtu është zgjatur deri në fund të gushtit edhe regjistrimi i diasporës. Ajo tha se komunat e Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës, kishin kërkuar zgjatjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Regjistrimi – i cili nisi më 5 prill dhe ishte përcaktuar të përfundonte më 17 maj – do të zgjasë tani deri më 24 maj 2024, sipas njoftimit. “Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare, që për çfarëdo arsye, nuk mund të regjistroheshin më herët”, thuhet në njoftim.
Qeveria njoftoi se do të zgjatet gjithashtu edhe procesi i regjistrimit të diasporës, i cili bëhet online përmes portalit eDiaspora, deri më 31 gusht 2024, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Në fillim të kësaj jave, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, kishte paralajmëruar kërkesën e komunave për zgjatjen e procesit të regjistrimit. ASK-ja tha në fillim të kësaj jave se deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë banorë. Ndërsa, mbi 400.000 pjesëtarë të diasporës janë regjistruar përmes plaformës online, sipas saj. Sa i përket pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë, ASK-ja më 13 maj se të gjitha po marrin pjesë në regjistrim, por në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ende ka hezitim.
Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin. Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.