Albin Kurti është rizgjedhur për të dytën herë me 67 vota (30 kundër) nga 107 deputetë të Kuvendit të Kosovës që ishin në sallë. “Nga dita e sotme do të jem kryeministër i tërë qytetarëve të vendit”, tha ai duke falënderuar të gjithë votuesit në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Por ashtu sikurse pritej partitë opozitare nuk e kanë konsideruar si kryeministrin e tyre që ditën e parë.
Enver Hoxhaj, ushtrues i detyrës së kryetarit të PDK-së ka shpjeguar motivet se pse e kundërshton këtë qeveri: “Për tri arsye s’do ta votojmë, jemi kundër jush si përmbajtje, si program dhe si përbërje”, ka thënë ai. Më e ashpër se shefi i saj ka qenë deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, e cila i ka thënë Kurtit se do jetë kryeministri i parë shqiptar që fëmijët nuk i flasin gjuhën shqipe.
Me interes është pritur edhe kundërshtimi i kryetarit të sapo zgjedhur të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili do të drejtojë një parti të tkurrur si kurrë më parë në 15 deputetë. i moderuar dhe tolerant ai ka pranuar se e njeh mesazhin që dhanë 50% e votuesve por i ka kërkuar Vetëvendosjes koherencën ndaj kauzave që ka mbrojtur në opozitë.
“Nga ju presim zgjidhje për ta gjitha problemet që i keni përmendur, zgjidhje për të gjitha rezolutat e ngritura nga ju dhe të tjerët”, ka deklaruar ai.
Natyrisht, ashtu sikurse pritej, qeveria e Vetëvendosjes nuk mund të kishte miratimin e Listës serbe. Ndonëse ka një ministër në qeverinë e re, në ministrinë për Komunitete dhe Kthim që do ta drejtojë Goran Rakiq, folca politike që merr udhëzime nga Beogradi ka pretenduar se asaj i takojnë dy anëtarë kabineti dhe se për këtë shkelje, sipas saj, të kushtetutës ajo do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri i ri ka deklaruar para deputetëve: “Ftoj secilin nga ju, brenda dhe jashtë vendit ta bëjmë shtetin që kemi ëndërruar. Kontributin në bërjen e shtetit e kemi obligim të gjithë, sfidat janë të mëdha por edhe aspiratat e mëdha”, ka thënë ai duke mos haruar edhe paralajmërimin ndaj të vetëve: “Mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës, sepse ashtu siç u kanë dhënë votën qytetarët, ashtu edhe ua marrin”.
Emrat e kabinetit të ri
Zëvendëskryeministri i parë për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog do të jetë Besnik Bislimi.
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të jetë Donika Gërvalla.
Zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut do të jetë Emilja Rexhepi.
Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ministre e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ministër i Shëndetësisë do të jetë Arben Vitia.
Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë do të jetë Arbërie Nagavci.
Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë Hajrullah Çeku.
Ministër i Minsitrisë së Administrimit Lokal do të jetë Elbert Krasniqi.
Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të jetë Liburn Aliu.
Ministër i Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë, Faton Peci.
Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë Armend Mehaj.
Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.
Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, do të jetë Rozeta Hajdari.
Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është Goran Rakiq.
Ministër për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal është Fikrim Damka.
Marrë nga Lapsi.al