Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend marrëveshjen e realizuar me “Cassa Depositi e Prestiti S.p.A”, për projektin me objekt “Studime fizibiliteti, hartim dhe planifikim në nivel përfundimtar dhe studim të ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës”, me një hua të butë në shumën 2 100 000 euro.
Nga ky fond, 1 950 000 euro do të përdoren për financimin e tri studimeve të fizibilitetit, hartimin dhe planifikimin në nivel përfundimtar dhe studimin e ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës dhe 150 000 euro do të përdoren për financimin e aftësimit për punë të njësisë teknike në MTI.
Objektivi specifik i programit të financuar me anë të kësaj marrëveshjeje është t’i japë ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën në Republikën e Shqipërisë instrumente projektuese menjëherë të tenderueshme për fuqizimin e qarkullimit përgjatë drejtimeve Veri – Jug dhe Lindje – Perëndim, më konkretisht, për veprat e mëposhtme të infrastrukturës:
– Zgjerimin e rrugës (dyfishimin – dublimin e aksit rrugor) nga Miloti në Shkodër. Dublimi i aksit rrugor nga Miloti në Shkodër është bërë më se i nevojshëm si rezultat i trafikut të rënduar kohët e fundit, sidomos gjatë stinës së verës kur turistë të shumtë frekuentojnë plazhet e Shëngjinit, Velipojës, Ulqinit etj. Dublimi i këtij seksioni do t`u japë zgjidhje të gjitha hyrjeve dhe daljeve pa leje, duke e përmirësuar shumë sigurinë rrugore.