Kabineti qeveritar i Shqipërisë dhe shtetit fqinj të Malit të Zi pritet që të zhvillojnë një takim në Shkodër. Si vend për këtë takim të përbashkët mes dy qeverive sipas burimeve është përzgjedhur që të jetë fototeka kombëtare “Marubi”.
Përveç ministrave pritet që të jenë të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Dushko Markoviç.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se mes dy qeverive do të firmosen disa marrëveshje bashkëpunimi që kanë të bëjnë me zhvillimin e dy shteteve fqinje.
Pritet që të jenë projekte të përbashkëta dhe investime në disa fusha të ndryshme. Mes tyre janë edhe disa projekte ndërkufitare.
Në fund të këtij takimi të qeverisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi do të ketë edhe një konferencë për shtyp të përbashkët nga kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe Malit të Zi Dushko Markoviç.
Kjo mbledhje e përbashkët e dy qeverive vjen edhe në një moment kritik kur ka një fluks të emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga vende të treta duke kaluar ilegalisht përmes doganave që lidhin Shqipërinë me Malin e Zi.
Pavarësisht disa takimeve ende nuk është gjetur një zgjidhje për këtë çështje ndërsa mund të jetë pjesë e diskutimit mes dy qeverive.
Sipas burimeve në Shkodër do të mbahet edhe forumi i bizneseve të Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi ndërsa do ta hapin me fjalimet hyrëse dy kryeministrat Dushko Markoviq dhe Edi Rama.