NGA FONDI 1.1 MILARD LEKË PËR EMERGJENCAT PËRFITOJNË VETËM 15 FAMILJE. Pjesa më e madhe e familjeve në zonën e NënShkodrës e mbiShkodrës që përjetuan përmbytjet disa herë që nga viti 2010,
nga fondi prej 1.1 miliard lekësh i qeverisë i alokuar për emergjencat nuk do të dëmshpërblehen. Vetëm 15 familje do të përfitojnë dëmshpërblimin në Qarkun Shkodër 4 si shkak i përmbytjeve dhe 4 të tjera si shkak i dëmeve nga bora, 2 nga reshjet e shiu si dhe 5 nga rrëshqitja e dheut. Faturat datojnë nga viti 2005 deri në vitin 2013, periudhë në të cilën bëjnë pjesë edhe përmbytjet masive të Shkodrës. Për Shkodrën më shumë dëmshpërblime do të jepen për ata familje të cilave u janë djegur shtëpitë nga zjarri. 14 të tilla janë në qytetin e Shkodrës, 9 në Postribë, 8 në Guri Zi, 7 në Shkrel, 6 në Vig Mnelë e Rrethina, 5 në Kelmend, nga 3 në Gruemirë, Dajç dhe Kastrat, 2 në Temal e Shosh dhe nga një në Pult, Ana e Malit, Bushat, Velipojë, Hajmel, Shalë. Sa i përket Bashkisë Vau Dejës përfitojnë 7 familje. Për rrethin Pukë 3 prej familje që do dëmshpërblehen janë brenda në qytet, 8 në Qafë Mali, 6 në Qerret, 3 në Fierzë dhe nga një në Gjegjan, Iballë, Blerim dhe Qelëz. Këto dëmshpërblime do të jepen pasi Ministria e Financave çeli fondin 9.65 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Deri në mes të shkurtit 2015, janë alokuar në total rreth 9.65 miliardë lekë detyrime të prapambetura ku për investimet publike janë alokuar 5.7 miliardë lekë, për “vendimet gjyqësore” 1.6 miliardë lekë, për shpronësimet 1 miliardë lekë dhe për “Emergjencat dhe shpërblime për lindjet” 1.1 miliard lekë. Ministria e financave ka shlyer 42% të borxhit që ka ndaj personave që janë përfitues në bazë të një vendimi gjyqësori. Janë paguar detyrimet e prapambetura në masën 98% për shërbime të cilat ishin lënë pezull prej rreth 10 vjetësh. Faturat e prapambetura për investime publike janë shlyer në masën 60%.