Burime nga qeveria: S’ka qëndrim zyrtar nga Strasburgu për kandidaturat
Burime nga qeveria shqiptare bëjnë të ditur “se nuk ka ende një qëndrim zyrtar nga ana e Strasburgut në raport me ngërçin në të cilën ndodhet procesi i përzgjedhjes së kandidatit shqiptar për anëtar të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Në ditët e ardhshme pritet jo vetëm një qëndrim zyrtar i palëve, por edhe hapat e mëtjshme që do të ndërmerren për të cuar përpara procesin.” Ndërkohë më herët u tha se KIE ka refuzuar tre kandidaturat e Shqipërisë për në Gjykatën e Strasburgut. Kandidaturat nuk kanë arritur të kalojnë për votim. Ina Rama, Sokol Berberi, Gent Ibrahimi nuk kaluan në Komisionin e seleksionimit dhe shkak janë çështjet proceduriale. Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Evropës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare.