Mbledhja në Vlorë – Qeveria shpall fshatin e Kaninës zonë të mbrojtur
Qeveria shpall Kaninën zonë të mbrojtur. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave sot në Vlorë. Rama: Në mbledhjen sapombyllur të qeverisë një ndër vendimet e qeverisë ishte shpallja e Kaninës zonë e mbrojtur. U miratua dhe rregullorja e administrimit të saj dhe sigurisht do të pasojë dhe një program i financuar për rilindjen e të gjithë këtij fshati të mrekullueshëm dhe për sistemimin e gjithë asaj zonë që tashmë është zonë e mbrojtur e trashëgimisë tonë kulturore. Rama gjithashtu bëri me dije se Këshilli i Ministrave mori vendim për të çuar drejt realizimit projektin e qendrës së njësisë administrative Brataj ku u aprovua dhe fondi i shpronësimeve. Rama paralajmëroi se qëndrimi dy ditor në Vlorë hap siparin e një sëri takimesh në të gjitha qarqet e vendit. Rama: Kjo është vizita e parë pune e qeverisë në një territor. Në çdo muaj qeveria do të zbresë në një territor për të qenë pranë njerëzve dhe jo thjesht për të bërë mbledhjen e saj të rradhës me një tematikë specifike për qarkun përkatës por për të ndarë me njerëzit, përfaqësuesit e grupeve të ndryshme të interesit, për të diskutuar me drejtues dhe administratorë lidhur me ecurinë e punëve tona të përbashkëta. Po ashtu kemi miratuar një tjetër proces që detyron për çdo muaj anëtarët e ekipit qeveritar dhe ekipet e tyre që të vizitojnë dhe të shohin nga afër për punët në sektorin e tyre në një qark të Shqipërisë.