Qeveria shqiptare është më pak transparente nga vendet e tjera të rajonit për të publikuar dokumentet zyrtare ndaj publikut, pavarësisht dixhitalizimit te shërbimeve.

Të dhënat e përpunuara nga “Open Data Kosova”, tregojnë se Shqipëria për shkallën e hapjes së të dhënave zyrtare kishte 24,8 pikë, dukë lënë pas vetëm Bosnjën.

Rezultatet më të mira në rajon për transparencën e dokumenteve publike i ka Serbia me një indeks 50.2, më pas Mali i Zi me 36.5, Kosova me 34.2 dhe Maqedonia e Veriut me 27.4.

Indeksi i Hapjes Rajonale vlerësoi shkallën e hapjes institucionale për njerëzit dhe shoqërinë në 4 parime kryesore; transparenca, aksesueshmëria, integriteti dhe ndërgjegjësimi gjatë periudhës 2019-2022.

Nga studimi rezulton se Ministria e Financave në Shqipëri ka publikuar gjithsej 26 dokumente, ndërkohë që ministria homologe në Maqedoninë e Veriut ka publikuar 42 dokumente, në Kosovë 54 dhe në Malin e Zi, gati 41.

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë nuk ka publikuar asnjë dokument në periudhën në fjalë. Teksa Ministria e Shëndetësisë në Malin e Zi ka publikuar 8 dokumente, në Maqedoni18 dokumente, në Kosovë 2 dokumente. Gjithashtu, edhe Ministria e Drejtësisë në Shqipëri ka numrin më të ulët të dokumenteve të publikuara online me vetëm 3.

Dixhitalizimi iu ka dhënë qeverive mundësi të konsiderueshme për të përmirësuar efikasitetin dhe ofrimin e shërbimeve publike nëpërmjet transparencës së të dhënave, por jo të gjitha qeveritë e rajonit po e përdorin me efikasitet. Studimi i financuar nga Kombet e Bashkuara vë në dukje se sasia e të dhënave rrit transparencën ndaj qytetarëve dhe e bën më të kuptueshme punën e qeverisë.

Artikulli paraprakKTHJELLIME DHE ALTERNIME VRANËSIRASH, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërEMIGRACIONI PO “ZHDUK” VERIUN/ RËNIA E LINDJEVE NË KUKËS, LEZHË, DIBËR DHE SHKODËR, MBI MESATAREN KOMBËTARE