Të gjithë gomat e përdoruara të automjeteve do të kenë rregulla të përcaktuara qartë deri në zhbërjen totale të tyre. Një projektvendim i propozuar nga Ministria e Mjedisit është miratuar nga qeveria, i cili rregullon ciklin e gomave të përdorura dhe mbetjeve të tyre që janë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Menaxhimi i mbetjeve nga gomat e përdorura nënkupton rregullat dhe kriteret që përfshijnë mbledhjen/grumbullimin, transportimin, ruajtjen/magazinimin dhe trajtimin e gomave të përdorura në mënyrë të tillë që të sigurohet mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe e mjedisit. “Ky vendim zbatohet për mbetjet e gomave të përdorura të mjeteve rrugore (ciklomotor, motomjete, automjete, trojlebuse, rimorkio, makina bujqësore, makina teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta), avionë dhe produkte të tjera të ngjashme, pas ciklit të jetës, të cilat zotëruesi i tyre i nxjerr nga puna ose kanë qëllim t’i heqin për shkak të dëmtimeve, fërkimit/gërryerjes ose arsye të tjera. Zotëruesi i gomave të përdorura i dorëzon pa pagesë gomat e përdorura te grumbulluesi dhe/ose te magazinuesi dhe/ose te trajtuesi i gomave të përdorura apo servisi në rast zëvendësimi me goma të reja”, sqaron Ministria e Mjedisit. Menaxhimi i tyre do të kryhet nga persona fizikë apo juridikë, të pajisur me leje mjedisore. “Trajtuesi i gomave të përdorura dërgon pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve informacion 1 herë /vit në lidhje me sasitë e gomave/mbetjeve të gomave të përdorura. Grumbulluesi, magazinuesi dhe trajtuesi i gomave/mbetjeve të gomave të përdorura janë të detyruar të mbajnë regjistrime ditore për sasitë e gomave të përdorura të mbledhura, të magazinuara dhe të trajtuara. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet juridike 3 muaj pas botimit”, thuhet më tej.