Qeveria merr vendim për të shpallur si ditë pushimi datat 9 deri 14 janar për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin fillor.
“Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe institucioneve arsimore, në vijim të masave parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë, si pasojë e motit të ftohtë, jo të zakonshëm, që pritet të vijë dhe të gjendjes gripale në vend” thuhet në vendimin e qeverisë që mban datën nr. 2, datë 7.1.2017 Qeveria i bën thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre për këto data ndërsa ngarkon institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi. Ky është urdhri i dytë brenda pak ditëve. Shkollat, çerdhet dhe kopshtet ishin parashikuar të hapeshin më 4 janar por në vijim të masave parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë, si pasojë e motit të ftohtë dhe të gjendjes gripale në vend u kërkua shtyrja.