Partia e Lirisë ka mbledhur sot kryesinë, ku kryetari Ilir Meta bëri një rezyme të gjithçkaje që nuk shkoi mirë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ai ka renditur shpërndarjen e shpërblimeve, shit-blerjen e votave dhe presionin e bërë nga administrata ndaj qytetarëve, si arsyet për një rezultat të tillë për opozitën.

“Procesi zgjedhor i 14 majit, ishte një fitore e krimit ndaj lirisë të së zgjedhurit, shkrirje e policisë me krimin kundër vullnetit të lirë të qytetarëve. Grupet kriminale dolën hapur krah partisë pushtet e policia nuk ndërhynte e nuk [paraqitej askund ku denoncoheshin të tilla veprime kriminale.
Qindra pajisje të identifikimit elektronik nuk punonin sa të gjithë e panë sa edhe kryetari i KQZ ishte viktimë e këtyre pajisjeve. Boja në gishtin e votuesve fshihej menjëherë. U gjakosën komisionarë nga kriminelë të Rilindjes në administratë e bandat e saj aktive. QV u kthyen në bordello Rilindase ku dhunohej çdo ligj. Qindra milion euro të pista u hodhën në fushatë për të blerë vota dhe një fakt që provon këtë është edhe rënia e kursit të euros. Një armatë e tërë ministrash e administratë sulmuan QV me presion ndaj votuesve. Dhjetra milion euro u hodhën në mënyrë të paturpshme për asfalt elektoral. Për devijimin e rezultatit në momentin e fundit, një rol kryesor luajtën burgjet, shembull ishte kutia e fundit e burgut në Rrogozhinë.

Detyrë e jona të thellojmë dokumentimin e krimit ligjor, të vijojmë kontestimin ligjor të çdo rezultati të kësaj natyre. Të përgatitemi për të rikthyer zërin e opozitës në pushtetin vendor, që nuk rezultonte në 4 vite”, tha ai.

Artikulli paraprakVLLAZNIA E FUTBOLLIT TË FEMRAVE SIGURON TITULL E 10-TË KAMPION
Artikulli tjetërQEVERIA HEDH PËR KONSULTIM PUBLIK NDRYSHIMIN LIGJOR, EMIGRANTËT PËRJASHTOHEN NGA BONUSI I BEBES