Ndërkohë që shteti po përgatitet për një aksion në fushën e lidhjeve të ujit të pijshëm në mbarë vendin, të ngjashëm me atë që u ndërmorr disa vite më parë për abuzuesit e energjisë elektrike, qeveria ka vendosur të lehtësojë 100% të gjithë qytetetarët në nevojë. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 12 janar, këta qytetarët do të përfitojnë subvencionimin e tarifës së lidhjes së kontratës dhe të vendosjes së matësve të ujit. Vendimi e shtrin fuqinë e tij që nga dita e parë e këtij viti.
Kush përfiton
Sipas këtij Vendimi, kategoritë në nevojë, që përfitojnë nga subvencionimi i lidhjes së kontratave dhe të vendosjes së matësve të ujit, janë si më poshtë vijon. Së pari, do të përfitojnë familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, sipas përcaktimeve të ligjit për ndihmën dhe shërbimet shoqërore dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pagesë të aftësisë së kufizuar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, dhe që nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Po kështu, përfitojnë familjet që kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Familjet e përcaktuara si më sipër, të cilat nuk disponojnë një kontratë të lidhur me ujësjellës-kanalizimet sh.a., do të përfitojnë lidhjen e kontratës së ujit pa pagesë.
Po kështu, ato familjet sa më sipër, të cilat nuk janë të pajisura me matës të ujit në banesë, do të përfitojnë vendosjen e matësve pa pagesë. Nga ana tjetër, nuk do të paguajnë për lidhjen e ujit dhe matësin as kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose që përfitojnë pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.
Listat dhe afatet
Listat e familjeve, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, sipas përcaktimeve të ligjit për ndihmën dhe shërbimet shoqërore dhe familjeve që kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pagesë të aftësisë së kufizuar dhe që nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar, shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve do t’i marrin zyrtarisht brenda shtatë ditëve të para të muajit nga bashkia e zonës së shërbimit të ujësjellës-kanalizimeve sh.a., në bazë të të cilave të bëhen lidhja e kontratës dhe vendosja e matësve.
Ndërsa listat e familjeve që kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar dhe të kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose që përfitojnë pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar, çdo bashki do t’i marrë zyrtarisht brenda shtatë ditëve të para të muajit nga agjencitë e sigurimeve shoqërore dhe do t’i vendosë në dispozicion të ujësjellës-kanalizimeve sh.a., në bazë të së cilave do të bëhet lidhja e kontratës dhe e vendosjes së matësve.