Vendosja në listën e vaksinave me zgjedhje të Pfizer-biotek ka rikthyer radhët dhe interesimin në të gjitha grupmoshat për të bërë vaksinën gjermano-amerikane anicovid, që deri një javë më parë ishte eskluzivitet i të sëmurëve kronik dhe me sëmundje malinje.
‘News 24’ ka qenë në një nga qendrat shëndetësore në Tiranë pranë Ministrisë së Jashtme ku qytetarë të të gjitha moshave qëndronin në radhë për t’u vaksinuar me Pfizer ndërsa deklaruan se nuk e kishin kaluar më herët sëmundjen. Në radhë për vaksinën Pfizer qëndronin edhe të sëmurët kronik që klasifikohen në kategorinë e parë të rriskut për shkak të sistemit të dobët imunitar.
Në datën 1 gusht Ministria e Shëndetësisë lajmëroi nisjen e muajit të hapur të vaksinimit të të gjitha grupmoshave plus 18 vjeç për të krijuar një mbulesë sa më të lartë imunitare për muajt vjeshtë dimër. Fillimisht moshat plus 18 vjeç kishin vetëm një alternativë zgjedhje, vaksinën kineze coronavac çka rezultoi pa interes për të rinjtë nisur nga vaksinimet e pakta në raport me numrin e popullatës plus 18, poshtë 50 vjeç. Për të rritur interesimin ministria shtoi një zgjedhje të dytë vaksinën Astrazeneca dhe kjo pa ndonjë rezultat surprizues. Ndërkohë prej jave qeveria ka hapur jo zyrtarisht dritën jeshile për marrjen e vaksinës Pfizer për të gjithë të interesuarit mbi 18 vjeç duke paraqitur vetëm kartën identitetit.
Lajmi i qarkulluar fillimisht në rrjetet sociale shkaktoi fluks të shtuar kërkesash në qendrën kombëtare të vaksinimit në Air Albania kryesisht nga moshat e reja 20-30 vjeç çka detyroi ministrinë e Shëndetësisë ta kanalizonte vaksinimin me Pfizer vetëm përmes mjekut të familjes dhe qendrave shëndetësore.